Elezi: KQZ pret përfundimin e ankesave para shpalljes së rezultateve përfundimtare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të përfundimit të procesit të shqyrtimit të ankesave nga institucionet kompetente para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të nxirren nga institucionet përkatëse.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, tha Elezi për Indeksonline.
Sipas rezultateve nga KQZ-ja , Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 47.13% të votave, në vendin e dytë rënditet PDK-ja me 19.44%. LDK-ja ka siguruar 16.69% të votave ndërsa AAK-ja ka siguruar 6.74% të votave./Indeksonline/

