75 Mall Live Search
10:57 / E Hënë, 22 Qershor 2026 / KV

Bilanci javor i Policisë së Prishtinës: Dhjetëra urdhëresa penale dhe mijëra gjoba

Policia Rajonale e Prishtinës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka realizuar 134 urdhëresa të gjykatës në lokacione të ndryshme të rajonit, në kuadër të aktiviteteve për zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë.

Sipas njoftimit, nga numri i përgjithshëm i urdhëresave të realizuara, 35 kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera ligjore.

Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.

Policia ka bërë të ditur se aktivitetet janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë, ku gjatë javës janë sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe një sasi municioni.

Ndërkohë, në kuadër të sigurisë në trafikun rrugor, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 3,814 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 567 kundërvajtje janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe veturat me radar mobil.