Ky është 28-vjeçari që u arrestua në Ferizaj, 4 vite burg për “Kontrabandim me migrantë”
Një person i kërkuar me urdhërarrest aktiv nga gjykata është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj dhe më pas është dërguar në vuajtje të dënimit me burg.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, arrestimi është realizuar më 21 qershor 2026 nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH), në koordinim me njësitë tjera policore, pas informacioneve operative të siguruara në terren.
Burimet e IndeksOnline kanë mësuar se i arrestuari është 28-vjeçari, Egzon Shkreta.
Shkreta ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv për vuajtjen e një dënimi prej katër vitesh burgim efektiv për veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Policia ka bërë të ditur se ai është lokalizuar dhe arrestuar në afërsi të qendrës tregtare “Village Shopping & Fun” në Ferizaj.
Pas arrestimit, 28-vjeçari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ku janë kryer procedurat e nevojshme policore, për t’u dërguar më pas në vuajtje të dënimit sipas urdhrit të gjykatës.

