Roc Nation dhe Jay-Z fitojnë betejë ligjore lidhur me çështjen Diddy
Roc Nation dhe Jay-Z kanë shënuar një fitore ligjore në përballjen e tyre me avokatin Tony Buzbee, në një proces gjyqësor që lidhet me zhvillimet pas skandalit të Sean Combs.
Sipas dokumenteve gjyqësore, një gjykatës në Teksas ka rrëzuar të gjitha akuzat ndaj kompanisë Roc Nation, duke argumentuar mungesë juridiksioni, transmeton Indeksonline.
Paditë ishin ngritur nga dy ish-klientë të Buzbee, të cilët pretendonin se njerëz të lidhur me ekipin e Jay-Z kishin ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në rastet e tyre ligjore.
Ky rast është pjesë e një konflikti më të gjerë ligjor që u ndez pas një padie të mëparshme të Buzbee, e cila më pas u tërhoq dhe përfshinte akuza serioze ndaj Jay-Z. Reperi i ka mohuar kategorikisht këto akuza dhe ka kundërshtuar fuqishëm veprimet ligjore kundër tij dhe ekipit të tij.
Vendimi i gjykatës nuk trajton përmbajtjen e akuzave, por vetëm çështjen e juridiksionit, që do të thotë se paditë mund të ri-ngrihen në një gjykatë tjetër.
Deri tani, avokati Tony Buzbee nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për vendimin./Indeksonline/

