75 Mall Live Search
11:11 / E Martë, 23 Qershor 2026 / Z S

Rama bëri thirrje me foton e tij, qytetari i përgjigjet Kryeministrit

Qytetari Erlis Sina ka reaguar këtë të martë ndaj një statusi të publikuar më herët nga Kryeministri Edi Rama, në të cilin, sipas tij, është përdorur fotografia e tij në lidhje me protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë dhe që ka hyrë në ditën e 24-t.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sina thekson se nuk pranon të identifikohet me figurën e kryeministrit dhe e akuzon këtë të fundit si përgjegjës për problematikat që, sipas tij, kanë shtyrë qytetarët të protestojnë.

Reagimi i plotë:

Pergjigje e detyruar per Edi Ramen!

UNË NUK JAM TI!

Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.

Unë nuk jam ti.

Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.

Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.

Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.

Ti je.

Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.

Ti nuk je viktima e halleve të mia.

Ti je autori i tyre.

Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.

Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.

Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.

Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.

Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.

Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.

Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.

Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.

Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.

Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.

Sepse paguajnë faturat.

Sepse kërkojnë punë.

Sepse presin në spitale.

Sepse shohin fëmijët të largohen.

Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.

Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.

Po i përçmon.

Fotografia ime në murin tënd më bën pis.

Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.

Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.

Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.

Unë nuk jam ti.

Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.

Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.