Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, duke rishpërndarë postimin e kryeministrit Edi Rama për Dritan Goxhajt, i cili në protestën në Tiranë lexoi disa kërkesa, tha se është turp të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së.
“Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njëjtë si sot të marrësh “pëlqime” nga sheshi i një proteste, e cila nuk dihet nga ata që e përkrahin as se kush e drejton apo çfarë realisht kërkon të arrijë! Nuk ka turp më të madh se sa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së – luftës më të lavdishme të popullit shqiptar për liri në trojet e veta duke e lidhur atë me sharlatanë që guxojnë të flasin në emër të heronjve të vërtetë”, shkroi ai në reagim.
Nufi tha se “komandanti i vërtetë” i UÇK-së ndodhet në Hagë, duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Turp vërtet i madh që dikush pretendon të flasë në emër të tyre apo në emër të patriotizmit duke dëmtuar drejtpërsëdrejti interesat kombëtare shqiptare! Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe/apo gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka! Ndërkohë, Komandanti i vërtetë i UÇK-së është në Hagë, i mbajtur padrejtësisht!”.
Më pas Nufi lavdëroi shefin e qeverisë së tij, duke thënë se po e udhëheq Shqipërinë drejt BE-së.
“Ndërsa arkitekti i vërtetë i revolucionit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes së vlerave evropiane, duke bërë një transformim të jashtëzakonshëm për vendin është Edi Rama dhe këtë e kanë treguar më së miri shqiptarët me votën e tyre duke përkrahur atë masivisht dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë!”

