Berisha: Mbështesim kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot në një komunikim me gazetarët nga selia blu se mbështet kërkesat e protestuesve për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate.
I pyetur nga gazetarët lidhur me kërkesat e artikuluara në protestë nga aktivisti Dritan Goxhaj, Berisha deklaroi mbështetjen e PD-së, ndërsa përsëriti thirrjen për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
“Kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë, fuqimisht dhe kemi po atë thirrje. Së dyti, kërkohet kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. Partia Demokratike është plotësisht dakord. Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë”, tha Berisha.
Sipas tij, ndryshimi duhet të garantohet përmes Kushtetutës, në mënyrë që të sigurohet rotacioni i pushtetit.
Për sa i përket çështjeve të tjera, Berisha akuzoi qeverinë se po përpiqet të fshijë kujtesën e qytetarëve, duke deklaruar se PD ka qenë kundër një sërë ligjesh dhe nismash të mëparshme, përfshirë ato për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, koncesionet dhe investimet strategjike.
Ai gjithashtu dënoi, siç u shpreh, sulmet ndaj qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi që marrin pjesë në protestë, duke i cilësuar etiketimet ndaj tyre si të papranueshme.
Në lidhje me propozimet për një qeveri tranzitore apo jopartiake, Berisha tha se çdo zgjidhje duhet të mbetet brenda kuadrit kushtetues dhe përmes marrëveshjes së forcave politike në Kuvend.
Sipas tij, Partia Demokratike vijon procesin e ripërtëritjes së brendshme dhe mbështet plotësisht protestën qytetare.

