Studim: Shumica e trajtimeve shtesë në IVF nuk sjellin përfitime
Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore “The Lancet” ka ngritur shqetësime mbi efektivitetin e shumë trajtimeve shtesë që u ofrohen çifteve gjatë procesit të fekondimit të asistuar (IVF), duke konstatuar se shumica prej tyre nuk kanë dëshmi të mjaftueshme shkencore që rrisin gjasat për shtatzëni apo lindje të suksesshme.
Studiuesit analizuan 85 prova klinike që vlerësonin të ashtuquajturat “IVF add-ons”, procedura, analiza dhe trajtime shtesë që përdoren krahas trajtimit standard të fertilitetit dhe që shpesh shoqërohen me kosto të konsiderueshme për pacientët.
Sipas rezultateve, shtatë nga dhjetë trajtimet shtesë më të përdorura ose nuk kishin asnjë efekt të matshëm në rezultatet e fertilitetit ose mbështeteshin vetëm në prova të kufizuara dhe me cilësi të ulët.
Mes procedurave që nuk treguan përfitime të qarta përfshihen akupunktura, medikamentet kundër inflamacionit, biopsia e shtresës së brendshme të mitrës për analizimin e shprehjes së gjeneve, trajtimet me plazmë të pasur me trombocite dhe disa preparate të tjera biologjike që përdoren për të përmirësuar implantimin e embrionit.
Studiuesit gjetën gjithashtu prova të pamjaftueshme për të mbështetur përdorimin rutinë të testimit gjenetik para implantimit (PGT-A), një metodë që përdoret për të kontrolluar anomalitë kromozomale të embrioneve para transferimit në mitër.
Vetëm tre trajtime shtesë treguan potencial për përfitime, megjithëse edhe për to provat shkencore mbeten të dobëta. Njëri prej tyre është EmbryoGlue, një medium transferimi që përmban acid hialuronik dhe që mund të ndihmojë implantimin e embrionit. Një tjetër është procedura e njohur si “endometrial scratching”, e cila përfshin irritimin e kontrolluar të mukozës së mitrës para transferimit të embrionit.
Autorët e studimit paralajmërojnë se përdorimi i trajtimeve të paprovuara mund të krijojë shpresa të rreme te pacientët, të rrisë barrën financiare dhe t’i ekspozojë ata ndaj procedurave të panevojshme mjekësore.
Sipas studiuesve, informacioni i pasaktë në faqet e klinikave private dhe në rrjetet sociale vazhdon të ndikojë në vendimmarrjen e pacientëve. Më shumë se 70 për qind e pacientëve që i janë nënshtruar IVF-së në Australi, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar se kanë përdorur të paktën një trajtim shtesë gjatë procesit.
Ekspertët bëjnë thirrje që pacientët të informohen përmes burimeve të besueshme shkencore dhe që klinikat të tregojnë transparencë më të madhe lidhur me përfitimet reale të procedurave që ofrojnë.

