75 Mall Live Search
20:58 / E Enjte, 25 Qershor 2026 / Z S

UP rezervon vende për arbëreshët e Italisë, Zarës dhe shqiptarët nga Turqia

U lindën dhe u rritën jashtë Kosovës, por, pavarësisht kësaj, gjuhen shqipe nuk e harruan.

E në gjuhën e të parëve, tani kanë mundësi të studiojnë edhe shqiptarët e Turqisë dhe arbëreshët e Italisë e Zarës.

Krejt kjo meqë kërkesa e këtyre të fundit, u mor parasysh nga Universiteti i Prishtinës.

“Në kuadër të kontakteve tona ambasada të ndryshme të Kosovës nëpër botë, ka ardhur si kërkesë fillimisht nga arbëreshet e Italisë, që tu jepet mundësia shqiptarëve  nga atje, arbëreshët që të vijnë dhe të studiojnë në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë  kënaqësia e jona me reflektu që mund të hapim edhe më shumë duke i ftuar arbëreshët e Zarës, ku kemi pasur disa vizita”, deklaroi Majlinda Gjelaj, prorektore në UP.

Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore , në UP, Majlinda Gjelaj, për Tëvë1 tha se këta studentët, përveç gjuhës shqipe mund të studiojnë edhe programe në gjuhë të tjera.

“Është një laramani  e madhe një ofertë e madhe e jashtëzakonshme e programeve, ne ofrojmë 146 programe, në 14 njësi akademike dhe mbulojmë të gjitha fushat dhe besojmë që përfshijmë edhe interesimin të ndryshme varësisht prej afinitetit që i kanë individët në mbarë botën. Kemi edhe programe që ofrohen edhe në gjuhën angleze, në gjuhën gjermane, në gjuhën turke  pra ka programe në të cilat mund të gjejnë vetën”, tha ajo.

Që ky vendim i senatit është i qëlluar e thotë edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani.

Por ky i fundit, është skeptik sa i përket numrit të studentëve të interesuar.

“Nuk mendoj që do të ketë interesim shumë të madh duke pasur gjithmonë në mendje që Kosova nuk shquhet për ndonjë nivel të lartë të cilësisë së arsimit , për derisa ata në vendet e veta kanë kushte edhe më të mira që të studiojnë se sa në Kosovë, mirëpo aspekti i gjuhës, i kulturës një numër prej tyre mund të tërheqë , kjo natyrisht do të ketë efekt pozitiv pasi do të ketë laramani të mentaliteteve” deklaroi Argjend Osmani.

Përveç studimeve në Universitetin e Prishtinës, këta studentët do të mund të qëndrojnë edhe në konviktet e Qendrës së Studentëve./Indeksonline/