Procesi i formimit të institucioneve të reja
Kosova po i afrohet fazës së konstituimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri do të nisin pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke theksuar se prioritet mbeten konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë.
Në anën tjetër, analistët vlerësojnë se qëndrimet e partive politike mbeten të pandryshuara, duke paralajmëruar se procesi i zgjedhjes së presidentit mund të shoqërohet me vonesa dhe përplasje institucionale.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të procedurave ankimore për të shpallur rezultatet përfundimtare.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit do të nisin takimet me partitë politike për zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë, ndërsa më pas do të trajtohet çështja e presidentit.
Haxhiu tha se zgjidhja më e mirë për postin e presidentit është një figurë konsensuale, e cila nuk vjen nga partitë politike.
Ajo mohoi mundësinë që vetë të jetë kandidate për presidente, ndërsa për kandidimin e saj eventual për kryetare të Kuvendit, tha se vendimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
Haxhiu u shpreh e bindur se shumica parlamentare i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, analisti politik, Adrian Zeqiri, vlerëson se qëndrimet e partive politike për presidentin nuk kanë ndryshuar dhe se procesi mund të përballet me vonesa të reja. Sipas Zeqirit, Kosova mund të ketë së shpejti Kuvend dhe Qeveri të re, por zgjedhja e presidentit rrezikon të zvarritet përmes procedurave institucionale dhe interpretimeve kushtetuese.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është në pritje të përfundimit të procedurave ankimore para se t`i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se institucioni do të veprojë menjëherë sapo vendimet e organeve kompetente të bëhen të plotfuqishme.

