75 Mall Live Search
08:43 / E Premte, 26 Qershor 2026 / H F

Alarm i kuq/ “Përvëlohet Shqipëria, temperatura 40 grade”, parashikimi i motit për ditën e sotme

Shqipëria do të përballet sot me ditën më të nxehtë të këtij sezoni, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona të vendit.

Meteorologia Tanja Porja paralajmëroi se është shpallur alarm i kuq për temperaturat ekstreme, ndërsa kjo shënon nisjen e kulmit treditor të valës së të nxehtit.

Porja bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme do të ketë rrebeshe të izoluara, kryesisht në zonat lindore dhe juglindore të vendit, ndërsa pjesa më e madhe e territorit do të dominohet nga moti i kthjellët dhe dielli.

Sipas meteorologes, temperaturat minimale gjatë mëngjesit kanë qenë 16°C në zonat më të thella malore, ndërsa në pjesën perëndimore kanë luhatur nga 21 deri në 24°C.

“Kaq kuq e gjithë dita. Alarmi i kuq sot. Po 40° presim sot në Shkodër. Pjesa tjetër 36, 38, 39°C. Një ditë mjaft e nxehtë.

Megjithatë mëngjesi i sotëm paraqitet relativisht i freskët me një vlerë minimale rreth 16° në zonat e thella malore.

Ndërkohë sot në mesditë presim 40°, sikundër e thamë, në zona krejt të izoluara. Fillon sot kulmi treditor i valës së të nxehtit pasi kemi sot 40, nesër e pasnesër po ashtu dhe presim që nga e marta e javës tjetër të vijojë të ulet ndjeshëm temperatura në territor.”, tha Porja.

“Duke iu afruar orëve të mesditës kemi një zhvillim të vranësirave në juglindje ku do të prodhohen rrebeshe afatshkurtra. Dielli do të vijojë të mbizotërojë në vijën bregdetare.”, tha Porja./A2cnn/