Rreth 18 milionë euro për ushqimin e institucioneve shtetërore
Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP) ka hapur një tender me vlerë të parashikuar prej rreth 18 milionë eurosh për furnizimin me artikuj ushqimorë për institucionet publike në Kosovë.

Sipas dosjes së tenderit, kontrata kornizë është ndarë në gjashtë lote dhe do të shërbejë për furnizimin e 73 institucioneve shtetërore, përfshirë ministri, komuna, Policinë e Kosovës, spitalet dhe institucione të tjera publike.


Dokumenti i tenderit parasheh që kontrata kornizë të ketë kohëzgjatje prej 24 muajsh për Lotet 1, 2, 4 dhe 6, ndërsa 15 muajsh për Lotet 3 dhe 5.
Po ashtu, në dosje janë përcaktuar edhe datat e hyrjes në fuqi të kontratave për secilin lot:
Loti 1 – 15 dhjetor 2026;
Loti 2 – 1 dhjetor 2026;
Loti 3 – 1 shtator 2027;
Loti 4 – 13 dhjetor 2026;
Loti 5 – 1 shtator 2027;
Loti 6 – 2 dhjetor 2026.
Tenderi synon të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me produkte ushqimore për institucionet përfituese gjatë periudhës së zbatimit të kontratave, duke centralizuar procesin e prokurimit për një numër të madh institucionesh publike.

Vlera e përgjithshme e parashikuar prej afro 18 milionë eurosh e bën këtë një nga procedurat më të mëdha të prokurimit publik në fushën e furnizimit me ushqime./Indeksonline/

