75 Mall Live Search
10:53 / E Premte, 26 Qershor 2026 / KV

Policia sekuestron armë, thika dhe fishekë në tri raste të ndara

Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të ndara të armëmbajtjes pa leje, të regjistruara gjatë 25 qershorit në Obiliq dhe Prishtinë.

Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 11:00 në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq. Gjatë kontrollit të një veture, policia ka gjetur dhe konfiskuar një thikë, një shufër hekuri dhe një laser. I dyshuari, shtetas i Kosovës, është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Në rastin e dytë, rreth orës 17:00 në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, policia ka arrestuar një të dyshuar, pasi gjatë kontrollit të banesës së tij është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 15 fishekë. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, rreth orës 22:30 në rrugën “Fatmir Selmani” në Prishtinë, është arrestuar një tjetër i dyshuar, pasi gjatë një ahengu familjar dyshohet se kishte shtënë disa herë me armë zjarri. Policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz dhe shtatë gëzhoja. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon sipas procedurave ligjore.

Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për të tri rastet./IndeksOnline/