Ekskluzive: Ky është gjermani që rrëmbeu vajzën spanjolle dhe e solli në Kosovë
Policia e Kosovës njoftoi një aksion të ndërmarrë me autoritetet spanjolle dhe INTERPOL-it, me lokalizimin dhe arrestimin e një të dyshuari për rrëmbim të një vajze 6-vjeçare.
Policia bëri me dije se operacioni rezultoi i suksesshëm, dhe më 24 qershor, i dyshuar se bashku me fëmijën e rrëmbyer, u lokalizua në një lokacion në Fushë-Kosovë ku edhe u arrestua.
Burime të IndeksOnline pohojnë se i dyshuari u kap në lagjen Eliza.
I njëjti në fjalë është i dyshuari gjerman Andreas Loch, raporton IndeksOnline.
Nga ana tjetër, nga Garda Civile Spanjolle ka ndarë detaje ekskluzive mbi ngjarjen, duke pohuar se babai kishte planifikuar me kujdes arratisjen.
Hetimet nisën pas kallëzimit të nënës së fëmijës, e cila raportoi zhdukjen e vajzës dhe njoftoi autoritetet se ish-partneri i saj kishte dalë nga Spanja me fëmijën. Policia spanjolle konstatoi se arratisja ishte organizuar paraprakisht dhe se i dyshuari kishte ndërmarrë masa të shumta për të shmangur zbulimin.
Një nga elementet më të pazakonta të hetimit ishte zbulimi i një pajisjeje gjurmuese AirTag, të cilën vajza e kishte fshehur në çantën e saj. Megjithatë, hetuesit zbuluan se pajisja ishte futur në një zarf postar të destinuar për në Marok, në një përpjekje për të mashtruar autoritetet dhe për t’i orientuar hetimet në një drejtim të gabuar, shkruan media spanjolle Todo Alicante.

