75 Mall Live Search
10:51 / E Diele, 28 Qershor 2026 / L A

Kosova në prag të dy sfidave vendimtare drejt EuroBasket 2029, trajneri Loci ka “shqetësime’ me lojtarët

Kombëtarja e Kosovës në basketboll po përgatitet për ndeshjet vendimtare kualifikuese për parakualifikimet për FIBA EuroBasket 2029.

Njëra lojë është kundër Shqipërisë e tjetra ndaj Sllovakisë. Por, situata brenda kampit dardan nuk është më e mira. Stafi teknik ka ngritur alarmin për mungesat e disa prej lojtarëve kryesorë, duke zbuluar një problematikë të thellë shqetësuese. Në prag të përballjes me kuqezinjtë, është bërë e ditur se Kosova do të jetë pa disa nga yjet e veta.

Përzgjedhësi Bujar Loci është i shqetësuar për atë që po ndodh ndërsa kërkon që në të ardhmen, pjesëmarrja e lojtarëve të ftuar në kombëtare të jetë obligative.

“Po besoj që jemi gati, por marrë parasysh që kemi mungesa evidente të lojtarëve të cilët janë lojtarë kualitativë dhe lojtarë që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës. Mirëpo ato mungesa kanë disa arsye objektive dhe subjektive të cilat duhet t’i pranojmë, dhe arsye për të cilat lojtarët ndoshta kanë pasur arsye objektive që nuk kanë ardhur. Mirëpo në të ardhmen duhet të fokusohemi më shumë që të jetë në një farë mënyre obligative që të vihet në përfaqësuesen e Kosovës, sepse ju e dini që përfaqësuesja e Kosovës nëse nuk i ka dy-tre lojtarë te të cilët varet loja e tyre, ne kemi probleme të mëdha në ekzekutimin e të gjitha atyre planeve të cilat i ka prezantuar stafi teknik në lojë”, theksoi fillimisht Loci.

Pavarësisht kësaj, puna nuk është ndalur. Trajneri Loci thotë do të jepet maksimumi.

“Normalisht çdo lojë që luhet jashtë është e vështirë. Po veçanërisht kur bëhet fjalë për përfaqësuese. Edhe Shqipëria ka basketboll, nuk mund t’i krahasojmë ligat të cilat luhen në Kosovë dhe në Shqipëri, mirëpo ju e dini që këtu pjesa dërmuese janë lojtarë të huaj, kurse në Shqipëri edhe ata e kanë natyralizuar një lojtar. Kështu që pritet lojë e mirë, lojë e një niveli të lartë dhe ne do japim çdo gjë prej veti që të nxjerrim një epilog pozitiv prej asaj ndeshje”, shtoi ai. Edhe basketbollisti Lis Shoshi tha për KosovaPress se Kosova është përgatitur maksimalisht dhe se synimi është që të fitohen të dyja ndeshjet, duke mos lënë hapësirë për kalkulime.

“Normal ne e kemi në mend ta fitojmë çdo lojë edhe pse kualifikimi është pak interesant për shkak se mund të kualifikohesh prej vendit të dytë, po varet prej koshdallimit. Por ne jemi duke u përgatitur maksimalisht edhe me jap më të mirën në këto dy ndeshje që i kemi… Besoj që nëse e mposhtim Shqipërinë atëherë pak a shumë varet çka bëjmë lojën me Sllovakinë edhe çka bëjnë grupet e tjera, se është pak interesant me koshdallim, vendi i dytë më i mirë mund të kualifikohet. Por ne duhet të shkojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, tha Shoshi. Edhe basketbollisti Dardan Kapiti tha që secila ndeshje do të trajtohet si finale. Ai shprehu besimin se mbështetja e tifozëve në Prizren do t’i japë ekipit motiv shtesë për të arritur objektivin.

“Edhe kundër Shqipërisë edhe kundër Sllovakisë ne hyjmë me mentalitet të njëjtë, ne hyjmë për të fituar. Kështu që do ta japim maksimumin të gjithë, besoj që përkrahja e dardanëve ka me qenë shumë e madhe këtu në Prizren, dhe do t’i arrijmë qëllimit… Nuk hyjmë me bë kalkulime, hyjmë një lojë mbas një loje. Kështu që hyjmë për t’i fituar të dy ndeshjet”, i shpreh Kapiti.

Kosova më 2 korrik përballet me Shqipërinë në Prizren, derisa tri ditë më vonë është mysafire e Sllovakisë.