Policia në rajonin e Prishtinës realizoi 182 urdhëresa gjykate brenda një jave, sekuestrohen edhe 10 armë zjarri
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë javës së kaluar, duke realizuar gjithsej 182 urdhëresa të gjykatës në lokacione dhe aksione të ndryshme.
Sipas njoftimit, 51 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Policia njofton se aktivitetet janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë, ku gjatë së njëjtës periudhë janë sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si edhe një sasi municioni.
Në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 3.214 gjoba për shkelje të ndryshme të kodit rrugor. Prej tyre, 384 kundërvajtje janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe veturat e pajisura me radarë mobil.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë me qëllim të rritjes së sigurisë publike dhe respektimit të ligjit.

