75 Mall Live Search
12:06 / E Hënë, 29 Qershor 2026 / G T

Juan Mata bëhet aksionar i Melbourne Victory dhe merr rol afatgjatë në drejtimin e klubit

Melbourne Victory ka njoftuar se fituesi i Kupës së Botës me Spanjën dhe fituesi aktual i çmimit “Johnny Warren Medal”, Juan Mata, ka vendosur të investojë në klub, duke u bërë aksionar.

Marrëveshja është e ndarë nga kontrata e tij si lojtar dhe pasqyron angazhimin e Matës për zhvillimin afatgjatë të Melbourne Victory dhe futbollit australian.

Edhe pse Mata ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të luajë sezonin e ardhshëm, sapo të përfundojë karrierën si futbollist aktiv, ai do të marrë drejtimin e një komiteti të ri të futbollit në klub. Në këtë rol, ai do të sjellë përvojën e tij mbi 20-vjeçare në elitën e futbollit botëror, duke përfshirë periudhat te Chelsea, Manchester Unitedi, Valencia dhe Kombëtarja e Spanjës.

Me këtë investim, Mata bëhet një nga futbollistët e paktë aktivë në botë që zotëron aksione në klubin ku luan aktualisht. Melbourne Victory i bashkohet gjithashtu portofolit të investimeve sportive të Matës, ku përfshihen edhe ekipi i Formula 1 BWT Alpine dhe klubi amerikan San Diego FC.

“Futbolli australian ka një të ardhme në të cilën besoj sinqerisht. Që nga dita e parë te Melbourne Victory kam ndjerë pasionin e këtij klubi dhe potencialin e A-Leagues. Dua të jem pjesë e ndërtimit të së ardhmes, jo vetëm për një sezon, por për shumë vjet”, deklaroi Mata.

/Indeksonline/