Sveçla: Zyrtari policor Rexhep Gashi humbi jetën gjatë detyrës në Vërmicë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se zyrtari policor Rexhep Gashi ka humbur jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë.
Përmes një reagimi, Sveçla ka shprehur ngushëllime për familjen Gashi, kolegët e të ndjerit dhe gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Në këto momente të rënda qëndrojmë pranë familjes për të ndarë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe”, ka shkruar ai.
Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale, me qëllim të parandalimit të tragjedive të tilla.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për zyrtarin policor Rexhep Gashi, i cili deri në çastet e fundit të jetës së tij i shërbeu me përkushtim Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ministri Sveçla.

