Pas 106 orësh i bllokuar nën rrënoja, nxirret i gjallë i riu në Venezuelë
Një 21-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në shtetin La Guaira të Venezuelës, falë një operacioni shpëtimi të kryer nga ekipe nga Venezuela, Meksika dhe El Salvadori, njoftoi presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele.
I riu, Aaron Levi Cantillo Vargas, u gjet i gjallë nën rrënojat në qytetin Caraballeda. Megjithatë, mes ekipit të shpëtimit dhe Aaronit ndodhej trupi i pajetë i një personi tjetër, gjë që e vështirësoi ndjeshëm operacionin, kishte bërë të ditur më herët presidenti Bukele, raporton BBC.
Pas një operacioni të ndërlikuar, 21-vjeçari u nxor i gjallë dhe aktualisht po merr trajtim të specializuar mjekësor. Bukele shtoi se ekipet e shpëtimit do të vazhdojnë punën me shpresën për të shpëtuar edhe persona të tjerë.
Sipas ushtrueses së detyrës së presidentes së Venezuelës, Delcy Rodriguez, operacioni i shpëtimit zgjati 43 orë, ndërsa Aaroni kishte qëndruar i bllokuar nën rrënoja për plot 106 orë.

