Kurti: Këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, i erdhi ndihma amerikane
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë në kremten e djeshme të Ambasadës së SHBA-së, për nder të 250-vjetorit të pavarësisë.
Duke ndarë fotografi nga pritja dhe nën shoqërinë e të ngarkuarës me punë në ambasadë, Anu Prattipati, Kurti shkroi se jetësimi i vlerave të jetës, lirisë dhe lumturisë së popullit tonë, janë të lidhura me SHBA-në.
“Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme”, shkroi Kurti.
Ky është postimi i plotë i tij:
250 vjet!
Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit.
Derisa bota e civilizuar është frymëzuar nga këto vlera, populli ynë për kohë shumë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta. E në këtë mes, përjetimi ynë është unik sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me ShBA-të. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane.
Mbrëmë isha i nderuar të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-ve në ambasadën amerikane në kryeqytetin e Republikës sonë. Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme.

