KPK-ja harton pyetjet për intervistimin e kandidatëve për kryeprokuror të shtetit
Paneli vlerësues për emërimin e kryeprokurorit të shtetit i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, ka filluar hartimin e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Në përputhje me procedurat e përcaktuara për zhvillimin e këtij procesi, tri orë para fillimit të intervistave, paneli vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit.
Intervistat e kandidatëve do të fillojnë në orën 11:00.
Në garë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit janë: Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu, prokuror në zyrën e kryeprokurorit të shtetit dhe Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Kryesuesi i panelit vlerësues, njëherësh kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, theksoi se procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat.
Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vazhdojë ta informojë opinionin publik dhe mediat në kohë reale për ecurinë e procesit të emërimit të kryeprokurorit të shtetit, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë, transparencës dhe integritetit institucional.

