75 Mall Live Search
09:43 / E Mërkurë, 01 Korrik 2026 / OSH

Ekskluzive: Aksioni i madh i policisë, kështu funksionoi skema e mashtrimit nga Shqipëria në Kosovë

Një aksion i gjerë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale ka nisur në orët e para të mëngjesit, në më shumë se 40 lokacione në mbarë Kosovën, pas një hetimi disamujor mbi dyshimet për një skemë të organizuar kriminale.

Burime të IndeksOnlinet pohojnë se në aksion janë përfshirë Prokuroria Speciale, Njësia e hetimeve tatimore të ATK-së, Policia e Kosovës dhe Njësia e hetimeve e Doganës së Kosovës.

Sipas po të njëjtave burime, hetimet lidhen me dyshimet për pastrim parash, shmangie të pagesës së tatimeve dhe doganave, si dhe transaksione fiktive në sektorin e derivateve të naftës.

Po ato burime bëjnë të ditur se ekzistojnë dyshime për një skemë kriminale, ku kompani importuese nga Shqipëria dyshohet se kanë importuar ujë në vend të derivateve të naftës, duke përdorur kompani fiktive dhe kompani aktive në Kosovë për të realizuar skemën dhe për të fshehur gjurmët e transaksioneve.

Por, si funksionoi kjo skemë?

Burime të Indeksonlinet bëjnë të ditur se me anë të kësaj skeme është ndërtuar një system i shpëlarjes së parave në Kosovë. Ky grup kishte përdorur një skemë të njohur të kontrabandimit dhe shmangies së tatimeve të naftës teknike, e cila ishte përdorur edhe në kontrabandën e naftës në zonën veriore të Kosovës.

Sipas burimeve, nafta ishte importuar nga kompani nga Kosova dhe kishte kaluar transit në Republikën e Shqipërisë.

Shqipëria, sipas burimeve, ka taksa shumë më të larta për naftën, diku mes 20 deri në 40 centë më të shtrenjta sesa në Kosovë.

Grupi, sipas burimeve, kishte zbarkuar naftën në Shqipëri, ku ajo ishte shitur në tregun e zi, ndërsa maunat ishin mbushur me ujë dhe ishin futur në Kosovë.

Maunat, sipas këtyre burimeve, kishin paguar doganën dhe akcizën, e cila është më e ulët në Kosovë, duke krijuar fitime prej 10 apo më shumë centësh për secilin litër të naftës që ishte zbarkuar në Shqipëri dhe në formë fiktive ishte importuar në Kosovë.

Burimet e Indeksonlinet bëjnë të ditur se aksioni po zhvillohet në disa komuna të Kosovës dhe se ka dhjetëra të arrestuar deri tani./Indeksoinline/