ATK-ja suspendon dy zyrtarë tatimorë pas ngritjes së aktakuzës
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë ndaj dy zyrtarëve tatimore, të cilët akuzohen për veprat penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjen e ryshfetit, ka ndërmarrë veprimet e parapara sipas legjislacionit në fuqi.
Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë marrëdhënien e punës dhe statusin e zyrtarëve tatimorë, ATK-ja ka marrë vendim për suspendimin e përkohshëm nga detyra të këtyre dy zyrtarëve, me efekt të menjëhershëm, deri në përfundimin e procedurës gjyqësore dhe marrjen e një vendimi përfundimtar.
ATK-ja nuk toleron asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo veprim që cenon integritetin institucional dhe do të vazhdojë të zbatojë me përpikëri dispozitat ligjore në çdo rast të tillë.

