75 Mall Live Search
22:04 / E Enjte, 02 Korrik 2026 / Gj Sh

”Fshesa” e madhe te Feronikeli, klubi ndan rrugët me 14 futbollistë

Feronikeli ka zyrtarizuar një nga ndryshimet më të mëdha në përbërjen e skuadrës, duke njoftuar largimin e plot 14 futbollistëve me marrëveshje të dyanshme.

Klubi nga Drenasi ka bërë të ditur se bashkëpunimi ka përfunduar me Arbios Thaqin, Arion Ymerin, Muhamed Llapashticën, Diellor Besenin, Endrit Kastratin, Samir Sadriun, Jon Qorrin, Bejtë Rexhepin, Adonis Qorrin, Arlind Krasniqin, Ardit Miftarin, Januz Miftarin, Abdeen Abdul dhe Mohamed Ibrahim Ngom, shkruan IndeksOnline.

Në njoftimin zyrtar, Feronikeli falënderoi secilin prej futbollistëve për kontributin e dhënë gjatë periudhës sa ishin pjesë e klubit.

“Sot i japim fund një rrugëtimi të përbashkët, pasi me marrëveshje të dyanshme kemi përfunduar bashkëpunimin me lojtarët. Në emër të gjithë klubit, ju falënderojmë sinqerisht për profesionalizmin, përkushtimin dhe respektin që keni treguar gjatë gjithë kohës sa ishit pjesë e jona”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubit.

Më tej, Feronikeli theksoi se kontributi i secilit prej futbollistëve do të mbetet i vlerësuar, ndërsa u uroi atyre shëndet, suksese dhe arritje në karrierën e tyre, duke shtuar se dyert e klubit do të mbeten të hapura për secilin./IndeksOnline/