Gjeneral Jashari takon liderët ushtarakë amerikanë, theksohet bashkëpunimi me FSK-në
Me ftesë të komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR) dhe komandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), gjeneral Alexus G. Grynkewich, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneral Jashari, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF) gjeneral Christopher T. Donahue.
Gjatë takimit, GLT Jashari shprehu vlerësimin e tij të lartë për lidershipin e gjeneralit Donahue në drejtimin e kësaj komande me rëndësi strategjike për Evropën, duke e falënderuar njëherësh për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet forcave tona.
Në anën tjetër, gjeneral Donahue e falënderoi gjeneral Jasharin për pjesëmarrjen në ceremoni dhe për bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm gjatë kësaj periudhe, me theks të veçantë në zgjerimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë trajnimet dhe ushtrimet e realizuara, të cilat kanë kontribuar në forcimin e ndërveprueshmërisë dhe partneritetit ndërmjet dy forcave.
Gjatë ceremonisë KOMFSK-ja takoi edhe homologë të vendeve partnere të NATO-së, pjesëmarrës në këtë ceremoni. Gjithashtu, takoi edhe zëvendëskomandantin dhe ushtruesin e detyrës së komandantit të USAREUR-AF gjeneralmajor Christopher Norrie, me të cilin u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Në përmbyllje të ceremonisë, palët rikonfirmuan përkushtimin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Komandës së USAREUR-AF), duke vlerësuar se partneriteti i qëndrueshëm strategjik, avancimi i bashkëpunimit dhe zhvillimi i mëtejmë i kapaciteteve mbrojtëse të forcës janë thelbësore për forcimin e sigurisë, ruajtjen e stabilitetit dhe promovimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë.

