Madonna sulmon inteligjencën artificiale: Po rrezikon krijimtarinë dhe artin
Ikona e muzikës pop, Madonna, ka kritikuar ashpër përdorimin e inteligjencës artificiale në industrinë artistike, duke e cilësuar atë si një kërcënim për krijimtarinë dhe origjinalitetin. Në një intervistë për Vogue Italia, artistja u shpreh se algoritmet dhe AI po i largojnë artistët nga guximi për të eksperimentuar, duke favorizuar krijime të sigurta, por pa identitet.
“Inteligjenca artificiale është e kundërta e marrjes së rrezikut dhe, për mua, kjo është e kundërta e artit,” deklaroi Madonna.
Ajo krahasoi industrinë e sotme me të kaluarën, duke theksuar se dikur artistët frymëzoheshin nga bashkëpunimi me krijues të fushave të ndryshme, ndërsa sot rëndësi më të madhe kanë ndjekësit në rrjetet sociale sesa talenti artistik.
Megjithatë, këngëtarja pranoi se ka përdorur inteligjencën artificiale në disa projekte, por vetëm për efekte vizuale dhe materiale promovuese, duke sqaruar se AI nuk ka qenë pjesë e procesit të krijimit të muzikës së saj.
Madonna foli edhe për filmin biografik të jetës së saj, i cili u anulua pas disa vitesh përgatitjesh. Sipas saj, projekti nuk u realizua për shkak të mosmarrëveshjeve me studion rreth buxhetit të nevojshëm për të sjellë në ekran historinë e saj në mënyrën që ajo e konsideronte të denjë. Ajo theksoi se nuk ishte e gatshme të bënte kompromise që do të dëmtonin cilësinë e filmit.

