Segmentit rrugor Junik-Morinë-Gjocaj rrezikon të bllokohet plotësisht
Gjendja e segmentit rrugor Junik-Morinë-Gjocaj vazhdon të përkeqësohet si pasojë e shembjeve të vazhdueshme të dheut, duke rrezikuar bllokimin e plotë të qarkullimit dhe sigurinë e banorëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, ndërsa Komuna e Junikut thotë se, për shkak të mungesës së fondeve, pret mbështetje nga niveli qendror për rehabilitimin e rrugës, raporton RTK.
Banori i fshatit malor Gjocaj, Demë Gjocaj, thotë se nëse nuk merren masa të menjëhershme, situata mund të përfundojë edhe me pasoja fatale.
“Është telashe me e pa me sy, sepse nuk është e kënaqshme dhe gjithmonë ke gajle se kush mund të përfundojë poshtë. Së dyti, është rrugë që gjatë dimrit bëhet shumë e rrezikshme, pasi në këtë gjendje makinat mund të bien në humnerë. Mjafton të bie një shi dhe e gjithë rruga shkon poshtë, dhe atëherë është shumë më e vështirë edhe për të kryer punë të tjera”, ka thënë Gjocaj.
Gjocaj thotë se shembje të tilla ka edhe në disa pjesë të tjera të rrugës, të cilat po ashtu kërkojnë ndërhyrje të shpejtë. Sipas tij, për këtë çështje është adresuar edhe kërkesë në Kuvendin Komunal të Junikut.
“Përveç asaj që e pamë më herët, këtu gjatë shirave uji ngritet dhe bëhet si liqen, e prej aty dheu rrëshqet poshtë me baltë e me drunj dhe rruga mbyllet krejtësisht. Shihet edhe këtu që kanë ardhur me ekskavatorë dhe e kanë hapur rrugën. Këtu gjendja është edhe më e keqe, më vjen keq edhe për pronarin, sepse po i dëmtohet toka për shkak të ndërtimit të mureve mbrojtëse prej betoni, për të ndalur këtë katastrofë”, ka shtuar Gjocaj.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë në Junik thonë se, përkundër kërkesave të banorëve për rehabilitimin e rrugës, për shkak të kufizimeve buxhetore nuk kanë mundur të ndërhyjnë deri më tani.
“Kryetari ka formuar një komision i cili ka bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara ndër vite në Junik, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Raporti është përcjellë në Qeverinë e Kosovës për mbështetje. Deri më tani nuk kemi marrë konfirmim për mbështetje nga Qeveria, por pavarësisht kësaj, ne e shohim të nevojshme të reagojmë për t?iu ofruar lëvizje më të mirë banorëve të kësaj pjese dhe besoj që këtë vit, sapo të kemi kontratë për mirëmbajtjen verore të rrugëve, do të sanohet edhe kjo pjesë”, ka thënë Demokrat Ganijaj, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Junikut.
Ndërkohë, kjo zonë atraktive e Komunës së Junikut ka potencial të jashtëzakonshëm, sidomos për zhvillimin e blegtorisë dhe turizmit.

