75 Mall Live Search
13:44 / E Diele, 05 Korrik 2026 / Z S

Alarmon ferma e madhe në Kosovë: Jemi në krizë të madhe për shkak të mbylljes së VITA-s

Ferma më e madhe në Kosovë, ‘’Rudina’’ ka shprehur shqetësim lidhur me situatën e fundit sa i përket qumështit ‘’Vita’’.

Në nje reagim në rrjetin social në Facebook nga kjo kompani thonë se tashmë ata janë në krizë pas mbylljes së qumështorës ‘’Vita’’.

Sipas tyre ky produkt përmban vetëm qumësht të freskët, të prodhuar nga fermat tona.

Ata i kanë bërë apel autoriteteve përkatësi që të ndërmarrin masa sa më shpejtë për hapjen e fabrikës.

Reagimi i plotë:

Ferma Rudina, me 26 vite përvojë në prodhimin e qumështit, dëshiron t’ju njoftojë se po kalon nëpër një krizë të madhe. Që nga momenti i fundit i dorëzimit, ne nuk kemi më mundësi ta dërgojmë qumështin tonë tek fabrika e përpunimit “Vita”, pasi “Vita”, si përpunuesi më i madh në Kosovë, aktualisht është e mbyllur.

Që nga momenti i marrjes së mostrave për analiza të përmbajtjes së qumështit pluhur dhe vajit të palmës në qumështin e “Vita”, qumështorja ka ndërprerë përkohësisht pranimin e qumështit, deri në daljen e rezultateve të analizave.

Ne jemi të bindur se ky produkt përmban vetëm qumësht të freskët, të prodhuar nga fermat tona.

Megjithatë, ne si fermë e madhe nuk kemi më asnjë mundësi ta dërgojmë qumështin tek fabrikat e përpunimit, pasi “Vita” ishte përpunuesi kryesor në vend dhe aktualisht nuk është funksionale. Për këtë arsye, nuk kemi zgjidhje tjetër: ose ta derdhim qumështin, ose ta ndajmë falas për qytetarët. Ky hap është i domosdoshëm për të mbrojtur prodhimin tanë.

Bëjmë apel urgjent që autoritetet përkatëse të ndërmarrin masa sa më shpejt për rihapjen e fabrikës dhe për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, në mënyrë që blegtoria jonë të mos dëmtohet më tej.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mbështetjen.

Nesër, më datë 05.07.2026, Ferma Rudina do të ndajë qumësht falas për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit, për shkak te teprices ne stoqet tona !

“Lopët tona nuk mbyllen.”

Faleminderit,

Ferma Rudina