75 Mall Live Search
23:26 / E Diele, 05 Korrik 2026 / S Z

Koci: Një qytetar nga Kosova pretendon se u kërcënua dhe pagoi 2 mijë euro në kufirin me Serbinë

Avokati Arianit Koci ka bërë publik rrëfimin e një qytetari nga Kosova, i cili pretendon se është përballur me kërcënime dhe zhvatje gjatë kalimit nëpër pikën kufitare Batrovci/Bajakovo në dalje nga Serbia.

Sipas Kocit, qytetari me emrin Illir e ka kontaktuar të dielën në mbrëmje, ndërsa ai ka bërë të ditur se ia ka verifikuar identitetin dhe posedon dokumentet e tij.

Megjithatë, avokati thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet për mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.

“Sonte më kontaktoi Illiri, një qytetar nga Kosova, identitetin e të cilit e kam verifikuar dhe dokumentet e tij i kam në posedim”, shkroi Koci.

Ai pretendon se gjatë kontrollit janë ekzaminuar edhe telefonat e familjes dhe fotografitë e ruajtura në to.

Gjithnjë sipas rrëfimit të tij, pasi në telefonat e fëmijëve janë gjetur fotografi me flamurin shqiptar dhe të UÇK-së, policët e kanë kërcënuar me arrestim dhe paraburgim në Beograd, duke i thënë se fëmijët do të mbeteshin vetëm nëse nuk paguante 2.000 euro.

“Sipas rrëfimit të tij, nga frika, ua ka dhënë policëve 2.000 euro”, tha Koci.