75 Mall Live Search
08:45 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / P M

Nëntë të vrarë nga sulmet ruse në Kiev, në prag të samitit të NATO-s në Turqi

Ekipet e shpëtimit në Kiev po garojnë me kohën për të gjetur njerëzit që kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të banimit të shkatërruara pjesërisht, pasi të paktën nëntë persona humbën jetën nga vala e dytë e sulmeve ruse ndaj kryeqytetit ukrainas brenda një jave.

Shefi i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, njoftoi se 46 persona janë plagosur, mes tyre të paktën pesë fëmijë, shkruan BBC-i, transmeton Klankosova.tv.

Sulmet ndodhën në prag të samitit të NATO-s në Turqi, ku presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump.

Vetëm pak orë para sulmeve të fundit, Zelensky kishte paralajmëruar se Moska po përgatiste një tjetër “sulm masiv” ndaj Kievit, pas bombardimeve të së enjtes që lanë të vrarë 30 persona.

Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, raketat balistike ruse goditën disa ndërtesa në qytet, duke shkaktuar edhe zjarre në disa komplekse banimi. Nga sulmet u dëmtuan gjithashtu depo dhe një punishte mekanike.

Fotografitë e publikuara nga Kievi tregojnë rrënoja ende në flakë, automjete të djegura dhe shkatërrime të mëdha në zona të ndryshme të qytetit. Pamjet filmike tregojnë gjithashtu ekipet e shpëtimit që vazhdojnë kërkimet mes rrënojave për të gjetur të mbijetuar.

Zelensky deklaroi të dielën, disa orë para sulmeve, se shërbimet e inteligjencës kishin sinjalizuar se Kievi do të përballej me një valë të dytë sulmesh ruse brenda javës.