Kryeministri australian i bie pishman, kërkon falje për komentet ndaj këngëtares së njohur
Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka kërkuar falje publike për komentet e tij ndaj këngëtares Kylie Minogue gjatë një interviste në një podcast, pasi deklaratat u kritikuan si të papërshtatshme dhe mungesë respekti ndaj grave.
Në një deklaratë të shkurtër të publikuar të hënën, Albanese tha se kërkonte ndjesë “pa mëdyshje” për komentet e bëra gjatë intervistës në podkastin Bush Deep, të moderuar nga komediania Nikki Osborne.
Gjatë bisedës, Osborne i kërkoi kryeministrit të zgjidhte mes këngëtares Kylie Minogue, aktores Nicole Kidman dhe artistes Rhonda Burchmore në një lojë me pyetje provokuese.
Fillimisht Albanese u përpoq ta shmangte përgjigjen, duke kujtuar se ishte martuar vetëm pak muaj më parë me bashkëshorten e tij, Jodie Haydon. Megjithatë, pas insistimit të moderatores, ai u përgjigj: “Kylie, qartësisht”, ndërsa më pas shtoi se do t’i zgjidhte “të gjitha më sipër”, duke e cilësuar artisten “fantastike”.
Komentet shkaktuan reagime të menjëhershme në skenën politike australiane. Deputetja e pavarur Zali Steggall i cilësoi ato “krejtësisht të papërshtatshme”, duke thënë se një kryeministër duhet të japë shembull dhe të refuzojë pyetje me përmbajtje seksiste.
Edhe ministrja në hije për Komunikimin, Sarah Henderson, kritikoi deklaratat, duke i quajtur ato “mosrespektuese ndaj grave, të turpshme për australianët dhe poshtëruese për institucionin e kryeministrit”, shkruan tch.
Kryeministri në detyrë, Richard Marles, mbrojti angazhimin e qeverisë për barazinë gjinore, duke theksuar se kabineti aktual është i pari në historinë e Australisë me përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave.
Intervista u zhvillua në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Canberra dhe u publikua në fund të javës së kaluar. Podcasti Bush Deep, i drejtuar nga Nikki Osborne, njihet për pyetjet provokuese dhe stilin humoristik, të cilin moderatorja e përshkruan si “tejet të papërshtatshëm”.

