75 Mall Live Search
15:26 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / S Z

Policia arreston tre persona në Gjakovë, të kërkuar nga gjykata

Policia në Gjakovë ka arrestuar tre persona të kërkuar me urdhëresë të gjykatës, në kuadër të aksioneve të realizuara gjatë fundjavës nga Njësia për Ndërlidhje me Gjykatat në Stacionin Policor në Gjakovë.

Të arrestuarit janë dërguar për vuajtje të dënimit pas ekzekutimit të urdhër-arresteve të lëshuara nga gjykatat kompetente.

Sipas policisë, M.Gj. është arrestuar dhe është dërguar për vuajtje të dënimit prej katër vjet e tre muaj, për veprën penale “shtytje e mbetur në tentativë në kryerjen e vrasjes së rëndë”, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Ndërsa D.K. është arrestuar dhe është dërguar për vuajtje të dënimit prej 95 ditësh për veprat penale “kanosja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Personi i tretë, A.G., është dërguar për vuajtje të dënimit prej një viti burg për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhër-arresteve të lëshuara nga gjykatat dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, thotë PK.