“Test, test, 1,2,1,2”, Kuvendi po bëhet gati për seancë, por e lëshon një ftesë të gabuar
Kuvendi i Republikës së Kosovës po bëhet gati për të pritur deputetët e zgjedhur të kësaj legjislature, në seancën e parë që prej zgjedhjeve të 7 qershorit.
Por, për të mbajtur seancë, fillimisht duhet të certifikohen rezultatet zgjedhore, raporton IndeksOnline.
Njoftimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se, nesër në orën 11:00, do të mbajë mbledhjen për certifikimin e rezultateve, duket se ka entuziazmuar Sekretariatin e Kuvendit.
Një ftesë për seancë plenare të jashtëzakonshme është nisur në adresat e deputetëve.
Email-i u nis për një seancë të paraparë për datën 13 shkurt, në orën 15:00.
Megjithatë, pak çaste më pas, deputetët u ftuan të injorojnë ftesën e dërguar, duke e cilësuar si “gabim teknik”./IndeksOnline/


