75 Mall Live Search
12:58 / E Mërkurë, 08 Korrik 2026 / MSH1

“U nda” nga Lecce, Ylber Ramadani nënshkruan me ekipin e ri

Ylber Ramadani ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Çorum FK, klub që militon në kampionatin turk.

Skuadra turke ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Lecce-n për transferimin përfundimtar të Ramadanit.

Sipas raportimeve, Çorum ka paguar rreth 1 milion euro për kartonin e mesfushorit shqiptar, i cili largohet nga klubi italian pas tre vjetësh.

Ramadani, 30 vjeç, ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Klubi turk ka shprehur besimin se shqiptari do të jetë një përforcim i rëndësishëm për ekipin në sezonet e ardhshme.

“Klubi ynë ka arritur marrëveshje me US Lecce për transferimin përfundimtar të futbollistit profesionist Ylber Ramadani dhe është nënshkruar një kontratë 2+1 vjeçare me lojtarin. I urojmë Ramadanit shumë suksese në rrugëtimin e tij të ri me fanellën e Çorum FK”, thuhet në njoftimin e klubit turk.

Mesfushori shqiptar ishte pjesë e Lecces në Serie-n A, ku u aktivizua për tre sezone dhe u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Tashmë ai do të provojë një kapitull të ri në futbollin turk.