75 Mall Live Search
20:49 / E Mërkurë, 08 Korrik 2026 / Z S

Begaj pas vizitës në Preshevë: I inkurajova liderët të bashkohen për interesin kombëtar

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vizituar të martën Luginën e Preshevës, ku është takuar me përfaqësuesit politikë shqiptarë të kësaj treve.

Ai tha se ka i ka inkurajuar liderët të bashkohen për interesin kombëtar.

Po ashtu Begaj tha se gjatë takimeve është diskutuar për shqetësimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, forcimin e bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve. 

Postimi i plotë:

Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë.

Më pritën me flamur e zemrat plot dashuri, si vëllai pret vëllanë. Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme.

I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.

I sigurova se do të vazhdoj të jem, si deri më tani, avokat i tyre, avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.