Vuçiç: Mungesa e konsensusit në BE për hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë ishte e pritshme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën se mungesa e konsensusit mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, ishte e pritshme.
“Duhet të shqetësohemi më shumë se cilën rrugë ose hekurudhë të hapim, jo cilin grup. Nuk ka nevojë të shqetësohemi shumë, gjithçka është përafërsisht e pritshme”, tha ai gjatë një interviste në programin e përditshëm të lajmeve të Radios dhe Televizionit të Serbisë të mërkurën në mbrëmje.
Radio Evropa e Lirë (REL) ka mësuar se në takimin e ambasadorëve të BE-së, të paktën tetë shtete anëtare u shprehën qartazi dhe pa asnjë rezervë kundër hapjes së këtij grupi kapitujsh.
Si arsye, ato përmendën mangësitë në fushën e sundimit të ligjit, refuzimin e Serbisë për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, si dhe mungesën e përkushtimit të mjaftueshëm ndaj procesit të integrimit evropian.
Sipas burimeve të njëjta, disa shtete të tjera nuk e kundërshtuan hapur hapjen e klasterit 3, por vlerësuan se ende nuk janë krijuar kushtet për një hap të tillë.
Edhe ato shprehën shqetësime për sundimin e ligjit, mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe gjendjen e lirisë së mediave në Serbi.
Mundësia e hapjes së klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë ishte në rendin e ditës në takimin e ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së, pasi Komisioni Evropian rekomandoi me shkrim që Serbisë t’i mundësohej hapja e këtij klasteri brenda muajit korrik.
Megjithatë, pas një diskutimi që, sipas burimeve diplomatike të REL-it, zgjati shumë më gjatë sesa ishte planifikuar, kryesuesi i takimit konstatoi se shtetet anëtare të BE-së nuk kanë arritur konsensus për hapjen e klasterit 3 me Serbinë.
Ndërkohë, duke folur për pjesëmarrjen e ministrit të Informacionit dhe Telekomunikacionit Boris Bratin si i dërguar qeveritar në funeralin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, Vuçiç tha se ishte “vendimi i tij, sepse Irani nuk e njohu Kosovën”.

