75 Mall Live Search
09:25 / E Enjte, 09 Korrik 2026 / Gj Sh

Rruga Junik-Gjeravicë drejt përfundimit, investim mbi 4.8 milionë euro

Rruga Junik-Gjeravicë është drejt përfundimit, ka njoftuar ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.

Sipas Bashës, ky projekt ka vlerë mbi 4.8 milionë euro dhe financohet tërësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa po realizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit me Komunën e Junikut.

Ai ka bërë të ditur se gjatë zbatimit të projektit janë paraqitur disa çështje pronësore, të cilat tashmë janë zgjidhur, duke mundësuar vazhdimin normal të punimeve deri në përfundim.

 “Asfaltimi i kësaj rruge do të forcojë lidhjen me një nga destinacionet më të bukura malore të vendit, duke nxitur zhvillimin e turizmit, ekonomisë lokale dhe krijimin e mundësive të reja për banorët e kësaj zone. Me qeverinë “Kurti”, si asnjëherë më parë po i japim prioritet investimeve në infrastrukturën e zonave malore. Këto janë investime që lidhin qytetarët, nxisin zhvillimin e turizmit dhe e bëjnë Kosovën më të qasshme”, ka shkruar Basha në Facebook, teksa ka postuar edhe një video nga punimet në këtë segment.