Policia bastis tri lokacione në Mitrovicë, sekuestron armë dhe ndalon një të dyshuar për kontrabandim me migrantë
Policia e Kosovës ka realizuar bastisje në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Mitrovicës, në kuadër të hetimeve për rastin e kontrabandimit me migrantë.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, aksioni është zhvilluar më 9 korrik 2026, pas ekzaminimit të pajisjeve elektronike dhe analizimit të materialeve të siguruara gjatë hetimeve për një rast që kishte ndodhur më 23 shtator 2025 në autostradën “Ibrahim Rugova”, në aksin Vërmicë–Prishtinë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e një të burgosuri është gjetur dhe sekuestruar një pushkë me tetë fishekë. Ndërkohë, një i dyshuar tjetër është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Rasti është cilësuar si “Kontrabandim me migrantë, armëmbajtje pa leje dhe posedim i substancave narkotike”.
“Autostrada Vërmicë-Prishtinë 23.09.2025 – 01:50. Pas ekzaminimit të pajisjeve elektronike dhe analizimit të materialeve të nxjerra, sektori i hetimeve i departamentit së policisë kufitare, më 09.07.2026 ka zbatuar urdhëresën e gjykatës, lidhur me kontrollin në shtëpi dhe ambiente përcjellëse në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Mitrovicës. Gjatë kontrollit në shtëpinë e një të burgosuri mashkull kosovar, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë me tetë fishekë. Lidhur me rastin i burgosuri është sjellë nga oficerët korrektues për të qenë prezentë gjatë bastisjes dhe për intervistë, ku pas intervistës i njëjti është kthyer në Qendrën Korrektuese. Lidhur me rastin ‘Kontrabandë me emigrantë’ është ndaluar edhe një i dyshuar tjetër mashkull kosovar, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

