IKD-ja kërkon më shumë garanci për pavarësinë e byrosë dhe kritere më të qarta për verifikimin e pasurisë
Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka kërkuar që projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të parashohë rishikim periodik nga gjykata të masave të sigurimit të vendosura ndaj pasurisë.
Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka ngritur shqetësime lidhur me pavarësinë e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke vlerësuar se mënyra e zgjedhjes së drejtuesve të saj nuk ofron garanci të mjaftueshme për pavarësi institucionale.
Gjatë prezantimit të raportit “Pasuria e pajustifikueshme, drejtësia e justifikueshme”, Shala tha se projektligji parasheh që drejtori i përgjithshëm dhe anëtarët e komisionit mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga kuvendi, të emërohen me shumicën e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.
Sipas tij, një standard i tillë mund të jetë i pranueshëm për një institucion administrativ të zakonshëm, por jo për byronë, e cila do të ushtrojë kompetenca me pasoja të rëndësishme juridike, ekonomike dhe personale.
Shala theksoi se zgjedhja e drejtuesve me shumicën minimale parlamentare rrit rrezikun që Byroja të perceptohet si institucion i varur nga shumica politike.
Për këtë arsye, IKD-ja rekomandon që drejtori i përgjithshëm dhe anëtarët e komisionit mbikëqyrës të zgjidhen së paku me shumicën e të gjithë deputetëve të kuvendit.
Shala foli edhe për dispozitat që rregullojnë verifikimin e pasurisë, duke vlerësuar se, ndonëse projektligji ka sjellë përmirësime në përcaktimin e periudhës së verifikimit, ai ende përmban paqartësi të rëndësishme.
Sipas tij, projektligji nuk e përcakton qartë se çfarë nënkupton pasuria “në masë të madhe më e lartë” se të hyrat e ligjshme.
Ai tha se mungesa e një pragu të përcaktuar, metodologjie dhe kritereve të matshme i jep byrosë një hapësirë shumë të gjerë vlerësimi, duke krijuar mundësi që raste të ngjashme të trajtohen ndryshe, varësisht nga interpretimi i ligjit.

