Detaje nga arrestimi i të miturit për sulmin me thikë në Ferizaj: Plagosi një polic në qafë dhe i hodhi vetes benzinë në trup
Policia e Kosovës ka publikuar detaje lidhur me arrestimin e 16-vjeçarit të dyshuar për sulmin me thikë ndaj qytetarëve në sheshin e Ferizajt, ngjarje që ndodhi mëngjesin e së premtes.
E pas ngjarjes tragjike, hetuesit rajonalë në Ferizaj, të mbështetur nga njësitë e tjera policore, ndërmorën veprime intensive për lokalizimin e të dyshuarit. Pas kontrollit në banesën e tij dhe më pas në një adresë në fshatin Greme, policia arriti ta lokalizonte.
Sipas policisë, me të arritur në vendngjarje, i dyshuari refuzoi t’u bindej urdhrave të zyrtarëve policorë. Ai mbante një thikë në dorë, sulmoi policët me gurë dhe mjete të forta, ndërsa më pas u vërsul ndaj tyre edhe me thikë.
Gjatë ndërhyrjes policore, nëna e të dyshuarit pengoi zyrtarët në kryerjen e detyrës zyrtare. Ndërkaq i dyshuari ka goditur me thikë një polic dhe tre zyrtarë të tjerë policorë kanë pësuar lëndime.
Por nuk është ndalur me kaq. I dyshuari ka hudhur benzin mbi trupin e tij, por më pas është arrestuar së bashku me nënën e tij.
“Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t’i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre. Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës. Pas ndërhyrjes policore, i dyshuari me inicialet P.GJ (16 vjeç) është vënë nën kontroll dhe është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ (47 vjeçe). Gjithashtu është sekuestruar edhe thika, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve. Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës/Indeksonline/.

