Pacolli me masa të rrepta për menaxhimin e mbeturinave: 7 ditë kohë për t’i hequr, ose komunat përjashtohen nga grantet e Ministrisë
Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ka nxjerrë një urdhëresë urgjente për menaxhimin e mbeturinave, duke e cilësuar sigurinë, shëndetin publik dhe mbrojtjen e mjedisit si prioritete absolute.
Pacolli tha se me rritjen e temperaturave gjatë sezonit veror, situata me kontejnerët e stërmbushur, erërat e pakëndshme dhe rreziku nga brejtësit e insektet është kthyer në një alarm që nuk mund të tolerohet më.
Sipas urdhëresës, ndalohet stërmbushja e kontejnerëve pranë çerdheve, shkollave, parqeve dhe këndeve të lojërave. Po ashtu, ndalohet grumbullimi i pakontrolluar i mbeturinave në rrugët me frekuentim të lartë, veçanërisht nga subjektet e gastronomisë, furrat e bukës, marketet dhe bizneset e tjera që përpunojnë ose shesin ushqim.
Ministrja njoftoi se është urdhëruar pastrimi, dezinfektimi dhe deratizimi urgjent i të gjitha hapësirave ku hidhen mbeturinat, me qëllim të parandalimit të rrezikut nga infeksionet dhe epidemitë.
Ajo paralajmëroi se moszbatimi i urdhëresës do të pasohet me inspektime të vazhdueshme në terren dhe shqiptim të gjobave maksimale. Për më tepër, komunat që nuk respektojnë vendimin dhe dështojnë të mbrojnë shëndetin e qytetarëve do të përjashtohen nga mbështetja financiare dhe grantet e Ministrisë.
Ky është njoftimi i plotë i saj:
Siguria, shëndeti publik dhe mjedisi i pastër janë prioritet absolut!
Me rritjen e temperaturave të verës, situata me mbeturinat e stërmbushura, erërat e këqija dhe rreziku nga brejtësit e insektet rreth kontejnerëve është kthyer në një alarm që nuk mund të tolerohet më! Për të mbrojtur shëndetin e çdo qytetari dhe fëmijëve tanë, sot kam nxjerrë një Urdhëresë Urgjente për menaxhimin e mbeturinave.
Nuk do të lejohet më stërmbushja e kontejnerëve pranë çerdheve, shkollave, parqeve dhe këndeve të lojërave. Ndalohet rreptësisht grumbullimi i pakontrolluar i mbeturinave në rrugët me frekuentim të lartë qytetar, nga sektori i gastronomisë (restorantet, kafenetë), si dhe nga furrat e bukës, marketet dhe çdo subjekt tjetër që përpunon apo shet ushqim!
Kemi urdhëruar pastrim, dezinfektim dhe deratizim urgjent të të gjitha hapësirave ku hidhen mbeturinat, për të shmangur çdo rrezik infeksioni apo epidemie.
Kemi urdhëruar rritje të menjëhershme e frekuencës së zbrazjes së kontenjerëve dhe vendosja e kapakëve funksionalë në çdo kontejner (jo më kontejnerë të hapur që kundërmojnë).
Menaxhimi i mbeturinave është detyrë ekskluzive e Komunave. Ato kanë saktësisht 7 ditë kohë për të vepruar dhe për të na raportuar dëshmitë e punës.
Nuk do të pranojmë asnjë justifikim. Moszbatimi i kësaj urdhërese do të pasohet me inspektime të pandërprera në terren dhe gjoba maksimale.
Por jo vetëm kaq: komunat që dështojnë të mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe nuk e respektojnë këtë vendim, do të përjashtohen nga çdo mbështetje financiare dhe nga grantet e Ministrisë!
Shëndeti i qytetarëve tanë dhe një mjedis i pastër e i sigurt nuk kanë kompromis. Të bëhemi bashkë për qytete të pastra!

