75 Mall Live Search
17:37 / E Diele, 12 Korrik 2026 / B XH

Përplasja SHBA – Iran për statusin e Ngushticës së Hormuzit –  këto janë zhvillimet e fundit

SHBA-ja dhe Irani kanë qëndrime të kundërta mbi faktin nëse Ngushtica e Hormuzit është e hapur sot, ndërsa ushtritë e të dy vendeve kanë lëshuar deklarata kontradiktore lidhur me mundësinë që anijet të kalojnë në mënyrë të sigurt nëpër këtë rrugë ujore me rëndësi jetike.

CNN shkruan për zhvillimet më të fundit:

Ngushtica e Hormuzit: Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi në orët e para të mëngjesit të sotëm se e kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një pretendim i mbështetur edhe nga autoriteti iranian i ngarkuar me mbikëqyrjen e protokollit të ri për kalimet nëpër këtë rrugë ujore. Megjithatë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), presidenti amerikan Donald Trump dhe Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar (JMIC), e cila mbikëqyret nga Marina e SHBA-së, kanë këmbëngulur se rruga ujore është e hapur. Megjithatë, të dhënat e gjurmimit tregojnë se trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit është reduktuar sot në minimum.

Anija e shënjestruar: IRGC-ja tha herët këtë mëngjes se ka qëlluar me një të shtënë paralajmëruese ndaj një anijeje që po përpiqej ta përdorte një rrugë të paautorizuar për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit. Një anije kontejnerësh u raportua e dëmtuar pranë kësaj rruge ujore dhe ekuipazhi i saj u shpëtua pasi u detyrua ta braktiste anijen, tha organizata britanike UK Maritime Trade Operations. Një shtetas indian rezulton i zhdukur pasi një anije tregtare u sulmua pranë Ngushticës, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë.

Sulmet vazhdojnë: Pasi ushtria amerikane kreu runde të reja sulmesh ndaj Iranit, Teherani shënjestroi disa objekte ushtarake amerikane në gjithë rajonin e Gjirit në orët e para të mëngjesit, raportuan mediat shtetërore iraniane. Katari dhe Kuvajti raportuan se kishin kapur sulme ajrore, ndërsa në Bahrein u aktivizuan sirenat e alarmit. Mediat shtetërore në Oman dhe Jordani raportuan gjithashtu sulme me dronë dhe raketa. Dy të rritur dhe një fëmijë u plagosën nga mbetjet që ranë në Katar, tha Ministria e Brendshme e vendit.

Përpjekjet diplomatike: Omani ka hartuar një propozim për menaxhimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit përmes dy rrugëve të kontrolluara veçmas, tha për CNN një burim i njohur me bisedimet. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij pakistanez, gjatë së cilës “të dy liderët shkëmbyen pikëpamje mbi situatën në zhvillim në rajon”, sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit.