KPK dorëzon zyrtarisht në Presidencë nominimin e Zejnullah Gashit për Kryeprokuror të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton se pas takimit të mbajtur sot, ka dorëzuar edhe zyrtarisht në Presidencën e Republikës së Kosovës nominimin e Zejnullah Gashit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Me këtë, procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ka hyrë në fazën e radhës.
“Nominimi i është përcjellë Shkëlqesisë së Saj, Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, së bashku me dokumentacionin e plotë që ka shoqëruar tërë procesin e përzgjedhjes që nga hapja e procedurës e deri te vendimmarrja përfundimtare e KPK-së”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se me dorëzimin e nominimit dhe dokumentacionit përkatës, procedura kalon në fazën e trajtimit nga Presidenca, ndërsa hapat e mëtejshëm do të zhvillohen në përputhje me kompetencat dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

