75 Mall Live Search
11:26 / E Martë, 14 Korrik 2026 / A

Zjarret në Francë, mbyllet autostrada, ndërpriten linjat e trenave

Franca po përballet me një nga zjarret më të mëdha të këtij sezoni, ndërsa autoritetet dyshojnë se flakët mund të jenë shkaktuar qëllimisht.

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu pranë pyllit historik të Fontainebleau, rreth 70 kilometra në jug të Parisit, duke detyruar mbylljen e autostradës A6, që lidh kryeqytetin francez me Lionin dhe jugun e vendit.

Përkohësisht u ndërprenë edhe disa linja të trenave me shpejtësi të lartë.

Për herë të parë në rajonin e Parisit, autoritetet angazhuan avionë Canadair për shuarjen e flakëve. Aeroplanët u furnizuan me ujë nga lumi Sena, ndërsa rreth 800 banorë u evakuuan nga zonat e rrezikuara.

Edhe pse zjarri u vu kryesisht nën kontroll gjatë pasdites, erërat e forta vazhduan të vështirësonin punën e qindra zjarrfikësve.

Ministri i Brendshëm francez, deklaroi se rrethanat e zjarrit janë të dyshimta. Sipas tij, janë identifikuar rreth dhjetë vatra të ndryshme brenda një rrezeje prej një kilometri, çka ngre dyshime për zjarrvënie të qëzllimshme.

Dy personat e dyshuar u arrestuan per zjarrvënie.

Autoritetet franceze bëjnë të ditur se që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 32 mijë hektarë tokë, më shumë se gjatë gjithë vitit 2025.

Ndërkohë, mbi 26 milionë banorë, përfshirë edhe rajonin e Parisit, ndodhen nën alarmin maksimal për temperatura ekstreme, të cilat pritet të zgjasin deri në mesin e javës.

Situata mbetet kritike edhe në Spanjë. Bilanci i viktimave nga zjarri shkatërrues në provincën Almeria, në jug të vendit, është rritur në 13, pasi një grua britanike 93-vjeçare ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga djegiet.

Dhjetë persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Gjatë vizitës në zonën e prekur, kryeministri Pedro Sanchez bëri thirrje për forcimin e masave të parandalimit të zjarreve në të gjithë vendin.

Edhe Italia po përgatitet për një valë të re të të nxehtit, e cila, sipas meteorologëve, pritet të zgjasë të paktën një javë.

Ekspertët paralajmërojnë se pasojat e valëve të të nxehtit shkojnë shumë përtej zjarreve.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë valës së nxehtësisë në funnd të muajit qershor në Evropë u regjistruan rreth 10 mijë e 650 vdekje më shumë se mesatarja sezonale.

Sipas një studimi, vetëm në Angli dhe Uells rreth 2 mijë e 700 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me temperaturat ekstreme gjatë muajve majj dhe qershor.

Studiuesit thonë se 42% e këtyre vdekjeve lidhen me efektet e ngrohjes globale.