Koalicioni PAN do të ketë më pak anëtarë në bordin e KQZ-së
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi pas emërimit të Valdete Dakës në krye të KQZ-së, duhet ta përmbush pjesën tjetër të obligimit ligjor, emërimin e dhjetë anëtarëve të KQZ-së, pas nominimit nga partitë politike.
Ai ka thënë se ndarja e anëtarëve të KQZ-së, është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të subjekteve politike.
Ky është postimi i Krasniqit:
Presidenti paska lëvizur drejt zhbllokimit të KQZ-së, pasi paralizojë për muaj të tërë funksionimin e këtij institucioni kushtetues. Tash mbetet përmbushja e obligimit të tij ligjor, që është emërimi i dhjetë anëtarëve të tjerë të cilët nominohen nga grupet parlamentare.
Përbërja e KQZ-së është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të subjekteve politike. Këto pozita ndahen pas konstituimit të Kuvendit dhe nuk i nënshtrohen ndryshimeve të grupeve parlamentare që mund të ndodhin në Kuvend.
Sipas formulës së ndarjes së pozitave në KQZ, të drejtë të nominimit të anëtarëve kanë:
– Koalicioni PAN dy anëtarë nga katër sa kishte deri më tani;
– Koalicioni LDK-AKR dy anëtarë nga një sa kishte (nëse nuk kanë marrëveshje të brendshme, të dy anëtarët mund të jenë nga LDK);
– Lëvizja Vetëvendosje dy anëtarë nga një sa kishte; dhe
– Katër anëtarë të tjerë komunitetet joshumicë (serb, turk, boshnjak dhe ashakali).
Meqenëse Lista Serbe nuk është pjesë e koalicionit Qeverisës, pushteti dhe opozita do të kenë numrin e njëjtë të anëtarëve, nga pesë secila. Përcaktuese për marrjen e vendimeve do të jetë vota e kryetares, për vendimet që kërkojë shumicën e votave të anëtarëve. /Indeksonline/