Gjithçka që duhet të dini para përballjes së Community Shield ndërmjet Chelseat dhe Manchester Cityt
Një javë më pak para se të fillojë sezoni i ri në Premier League, këtë fundjavë në ”Wembley Stadium” do të përballen fituesi i sezonit të kaluar në FA Cup dhe i Premier Leagues – pra, Chelsea do të përballet me kampionin e Anglisë, Manchester Cityn në kuadër të Community Shield.
Të dyja skuadrat janë plotë energji pas pushimeve dhe turneut para-sezonal pas Kupës së Botës në Rusi, teksa Pep Guardiola dhe trajneri i ri i Chelseat, Maurizio Sarri do ta sfidojnë njëri-tjetrin.
Skuadrat nga Londra dhe Mançesteri janë përforcuar paksa këtë verë, teksa Sarri ka transferuar Jorginhon nga Napoli, derisa Man City ështv përforcuar me Riyad Mahrez nga Leicester City.
Asnjëra nga skuadrat e lartëpërmendura nuk do të jenë të plota, pasi që disa nga lojtarët kryesor ende nuk janë rikthyer nga pushimet e tyre pas Kampionatit Botëror. Dhe këtu keni gjithçka që duhet të dini para sfidës së sotme.
Dy skuadrat kanë zhvilluar turneun para-sezonal – ata i kanë zhvilluar nga tri ndeshje, megjithatë jo të gjitha ndeshjet e fituan. Skuadra e Sarrit fitoi ndaj Perth Gloryt, para se të humbasë në dy ndeshje gjatë penalltive nga Interi dhe Arsenali.
Ndërkohë, Manchester City humbi nga Borussia Dortmundi pas golit të vetëm të shënuar nga Mario Gotze, para se të humbiste nga Liverpooli në Nju Jork, megjithatë më pas triumfoi përballë Bayern Munich, duke u rikthyer nga dy gola disavantazh.
Chelseat do t’i mungojnë sot shumë lojtar kryesor – veqanarisht Eden Hazard, Thibaut Courtois dhe Michy Batshuayi, të cilët janë në pushime deri në javën e ardhshme, derisa Gary Cahill pritet të rikthehet gjithashtu javën e ardhshme në stërvitje.
Megjithatë, Ruben Loftus-Cheek është rikthyer më herët në stërvitje duke i ndërprerë pushimet e tij për ta impresionuar trajnerin e ri, Maurizio Sarri. Sa i përket të lënduarve, në këtë listë hyjnë lojtarët si Kurt Zouma dhe Marco van Ginkel.
Nga ana tjetër, Manchester Cityt do t’i mungojnë lojtarët krucial sot, gjithashtu edhe në ndeshjen hapëse të Premier Leagues përballë Huddersfield Town në fundjavën e ardhshme.
Pjesëmarrësit e Kupës së Botës si David Silva, Sergio Aguero, Nicolas Otamendi, Ederson, Vincent Kompany dhe Fabian Delph do t’i mungojnë Pep Guardiolas sot për shkak të pushimeve.
Guardiola ka ftuar për sot lojtarë të akademisë, teksa raportohet se Kyle Walker i është bashkuar skuadrës në mesjavë, derisa Raheem Sterling dhe Kevin De Bruyne raportohen se janë ende në pushime.
Guardiola mund ta ketë në dispozicion Riyad Mahrezin, i cili u lëndua në turneun para-sezonal. megjithatë në dyshim për shkak të lëndimit është i riu, Phil Foden.
Mbrojtësi, Aymeric Laporte është ende në dyshim për shkak të lëndimit, teksa mbrojtësi tjetër francez, Benjamin Mendy mbetet jashtë për shkak të një lëndimi muskulor.
Ndeshje atraktive pritet të zhvillohet sot në Londër, megjithatë Manchester City i Pep Guardiolas konsiderohet favorit, por e gjithë kjo mbetet të shihet sot./IndeksOnline/