75 Mall Live Search
18:00 / E Premte, 10 Gusht 2018 / indeksADMonline

Bie vlera e lirës turke

Lira turke pësoi një goditje tjetër të premten kundrejt dollarit dhe ka shqetësime në rritje se problemet ekonomike të vendit mund të përhapen në eurozonë.

Lira ra 7% kundrejt dollarit në 5.9655 të premten në mëngjes. Monedha komëtare turke ka rënë me mbi 35% këtë vit. Rënia e saj nisi kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndërmori hapa për të marrë nën kontroll politikën monetare të vendit.

Rënia e kohëve të fundit vjen pasi një delegacion turk në Uashington dështoi të ndalonte SHBA-të nga vendosja e sanksioneve kundër dy ministrave të qeverisë turke. Mungesa e veprimeve të bankës qendrore për të mbështetur monedhat ndikoi në frikësimin e investitorëve, shoqëruar kjo edhe me komentet e Erdogan se normat e interesit janë “nëna dhe babai i të gjitha të këqijave”.

Lira “po bie kaq shpejt sa një parashutë është gjëja e parë që të vjen në mendje për të parandaluar shkatërrimin e saj në tokë,” tha Bart Hordijk, një analist i tregut në Monex Europe, cituar Businessinsider.

Shqetësimet po rriten pasi rënia e monedhës turke mund të fillojë të godasë bankat evropiane.

Mbikëqyrësi kryesor financiar i eurozonës është bërë gjithnjë e më i shqetësuar për ekspozimin e disa prej huadhënësve më të mëdhenj të Evropës në vend. Ato përfshijnë BBVA, UniCredit dhe BNP Paribas, dhe ekspozimi ndaj këtyre huadhënësve po monitorohet nga afër, raportoi Financial Times.

Erdogan ka premtuar një model të ri ekonomik të drejtuar nga Albayrak, i cili është gjithashtu dhëndri i tij.