Deda: Mos të bëhemi si telenovelë, të votojmë rezolutën për dialog
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka kërkuar nga të gjithë deputetët që të votojnë njëzëri rezolutën e paraqitur sot për dialogun me Serbinë.
Në fjalimin e tij, Deda ka thënë se në bazë të deklaratave politikë, të gjithë po pajtohen që asnjë bartës institucional nuk ka të drejt të negociojë, raporton Indeksonline.
“Ju lus që mos të bëhemi si telenovelë e lirë dhe mos të vazhdojmë këtë lojë kështu. Nëse pajtohemi që asnjë bartës s’ka të drejt të dialogoj, duhet të pajtohemi patjetër, patjetër, patjetër me rezolutën e paraqitur sot. Para nesh është një stuhi politike, të cilën me rezultate te saj do të jetojmë. Këtu s’ka as parti politike as përfitim elektoral, prandaj ju lus tani që më në fund u mblidhem, e lus edhe PDK-në që mos të kushtëzoj aprovimin e kësaj rezolute”, ka thënë tutje Deda.
Sipas tij, vetëm me votimin e rezolutës së paraqitur në Kuvend, do të kthehej normaliteti në vend, duke kërkuar që të dalin faqebardhë para popullit. /Indeksonline/