75 Mall Live Search
14:48 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Prokuroria Themelore në Prishtinë qytetarëve shqiptarë u lëshon dokumente në gjuhën serbe

Bekim Bajrami nga Prishtina, me ftesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishte dhënë deklaratë para prokurores, Javorka Perlinqeviq e cila është prokurore e rastit të tij , ku ai është palë e dëmtuar.Deklaratën e tij, Bekimi e ka dhënë në gjuhën shqipe përmes përkthyeses shqip-serbisht dhe në fund të saj e kishte nënshkruar pa ia hedhur sytë fare.Bekimi është habitur kur ka shkuar në shtëpi dhe ka shfletuar dokumentet e prokurorisë një nga një, ku ka parë se të gjitha këto dokumente janë të shkruara në gjuhën serbe.

Indeksonline e ka vizituar Bekimin në shtëpinë e tij ku tregon se deklaratën në prokurori e ka dhënë para prokurores së rastit me përkatësi serbe, Javorka Perlinçeviç me datë 30 tetor të këtij viti dhe po atë ditë kjo deklaratë i është printuar dhe i është dhënë edhe atij në posedim.

“Kur kam ardhur në shtëpi atëherë e pash që janë serbisht komplet. Normalisht, unë kam menduar që është shqip, por ishin serbisht dhe për ata edhe ju njoftova edhe juve sepse mendoj se kjo është e padrejtë të marr nga gjykata jonë dokumentet në gjuhën serbe. Tash më kushton ndoshta 40 apo 50 euro nëse dua ta përkthej në gjuhën shqipe, pastaj edhe nëse e marr një avokat ai kërkon për t’ia përkthyer dhe t’ia dërgoj në shqip” shprehet i revoltuar Bekimi.Ai e di që gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë, por nuk e kupton se pse atij si shqiptar i lëshohen dokumente në gjuhën serbe nga institucionet e shtetit të Kosovës.

“Nuk është në rregull se si mi kanë dërguar mua dokumentet serbisht, megjithëse unë deklaratën e kam dhënë shqip me përkthyese, e cila pastaj ka përkthyer në gjuhën serbe dhe dokumentet mi kanë lëshuar krejtësisht serbisht. Unë gjuhën serbe e kuptoj deri diku por jo krejtësisisht me terma juridik e ku ta di unë. Tash komplet nuk i kuptoj këto dhe nëse dua t’i kuptojë ato duhet të shkojë t’i përkthej diku dhe t’i paguaj e ashtu nuk kam mundësi. Nuk po e di tash se si kjo mund të ndodh në shtetin tonë, në gjyqin tonë për çudi është kjo…!

 

Indeksonline e ka pasur të pamundur të kontaktoi me prokuroren Javorka Perlinçeviç për ta pyetur për rastin në fjalë ndërsa kryeprokurori i prokurorisë themelore në Prishtinë Imer Beka, i pyetur për rastin thotë se kjo gjë nuk është në rregull sepse prokuroria është e obliguar me ligj të ja jap palës dokumentet në gjuhën shqipe pavarësisht përkatësisë etnike të prokurorit të rastit./Indeksonline