Kryetarët e komunave veriore dorëzojnë dorëheqjet në MAPL
Kryetari i Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, ai i Leposaviqit, Zoran Todiq, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq si dhe kryetari i Zveçanit, Vucina Jankoviq, të martën njoftuan se kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Si arsye për dorëheqje, ata përmenden vendosjen e taksës 100% të mallrave që vijnë nga Serbia në Republikën e Kosovës, shkruan Indeksonline.
Fillimisht ishte kryetari i Zubin Potokut që ndërmori hapin duke dorëzuar dorëheqjen në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Por, këtë veprim nuk e bënë menjëherë edhe tre kryetarët tjerë, të cilët një gjë të tillë e kanë bërë tek dje. Këtë e ka konfirmuar në një përgjigje për Indeksonline, zyra për informim e MAPL-së.
“Dorëheqjet të cilat i kanë paraqitur Kryetarët para disa dite, kanë arritur në MAPL”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Kujtojmë se nga vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, ka pasur reagime të shumta të autoriteteve përkatëse.
Madje, Serbia ka paralajmëruar se nuk do të vazhdoj dialogun me Kosovën, deri në heqjen e taksës. Po ashtu, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Brnabiq kanë lutur udhëheqësit kosovarë që të heqin dorë nga kjo masë e vendosur, duke u ankuar se serbët në Kosovë kanë mbetur pa ushqim dhe barna. /Indeksonline/